Sekretet e përgatitjes së sheqerpareve në shtëpi

8 months ago billbordi01 0

Me arra apo bajame, e sherbetosur dhe e shkrifët, sheqerparja mbetet ndër recetat më unike të amvisave shqiptare.

Tradita shqiptare e ëmbëlsirave është e pasur me receta të mrekullueshme por ajo e sheqerpares është padyshim më e veçanta.

Është gostia më e mirë për miqtë, ëmbëlsia më e dashur për familjen e sigurisht receta për të cilat të gjitha trevat shqiptare krenohen se është traditë e tyre.

Dibra ka recetën e saj fantastike, aq sa prej dekadash tashmë njihet emërtesa e Sheqerpare Dibrane.

Elbasani e Tirana po ashtu si edhe qytetet jugore, Berat, Gjirokastër a Korçë krenohen për traditën e tyre të sheqerpares, e cila në fund të fundit mbetet shqiptare.

AgroWeb sjell recetën e famshme të përgatitjes së sheqerpares në shtëpi, shumë e lehtë për t’u përgatitur me një dimension të fortë shijeje për t’u ëmbëlsuar.

Si të përgatisim sheqerparen krejt lehtë në shtëpi.

Përbërësit për brumin: 250 gramë miell, 100 gramë gjalpë, 100 gram sheqer, 1 kokërr vezë, 2 lugë gjellë kos i bardhë, 1 lugë e vogël me maja për ëmbëlsira, Pak kripë, Disa thelpinj arrash dhe bajamesh.

Për përgatitjen e sherbetit: 200 gramë sheqer, 200 ml ujë, 2 lugë lëng limoni, 1 lugë çaji me vanilje pluhur.

Procesi i përgatitjes:

Si fillim përgatisim sherbetin. AgroWeb ju kujton të bëni kujdes që sherbeti të jetë i ftohtë në momentin që do t’u hidhet ëmbëlsirave.

Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr që të vlojnë.

Në momentin që nisin të zjejnë, hedhim lëngun e limonit dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 5 minuta.

Më pas, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Ndërsa sherbeti ftohet, nisim përgatitjen e sheqerpareve.

Në një enë të bollshme hedhim miellin, majanë, sheqerin, vezën, kosin dhe i përzjejmë që të gjitha bashkë derisa të njëtrajtësohen, më pas, hedhim gjalpin e shkrirë dhe pak fare kripë.

I përzjejmë me dorë të gjithë përbërësit derisa masa e përftuar të jetë e njëtrajtshme.

Më pas në një tavë shtrojmë letrën e kuzhinës, ndajmë brumin në forma ovale të sheshta dhe në mes krijojmë një gropëz të vogël ku vendosim nga një thelpi arre ose bajame.

Të gjitha sheqerparet e përgatitura i shtrojmë me rregull në tavë.

AgroWeb.org ju këshillon që sheqerparet të mos i vendosni shumë pranë njera tjetrës sepse gjatë procesit të pjekjes do fryhen në përmasat e tyre.

Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë celcius. Pasi furra të jetë nxehur fusim tavën me sheqerpare dhe i lëmë të piqen përreth 30 minuta derisa sheqerparet të marrin ngjyrë të praruar, të artë.

Pasi shqeqerparet janë pjekur, i heqim nga furra dhe siç janë të nxheta u hedhim përsipër sherbetin e ftohtë.

I vendosim në një pjatancë me rradhë dhe më pas i servirim për ti shijuar me familjen ose me miqtë.

Për shkak të ëmbëlsisë së saj, AgroWeb ju këshillon që të mos e tepëroni me konsumimin e tyre në sasi të madhe por të konsumoni vetëm një. /AgroWeb