Gledis Nano thirret për të dëshmuar në Kuvend për hetimin e 25 prillit, Alibeaj sqaron arsyen

2 days ago billbordi01 0

Mes emrave të thirrur nga Partia Demokratike për të dëshmuar në Komisionin Hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit është edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, megjithëse ky i fundit mori vetëm së fundmi këtë detyrë pas largimit të Ardi Veliut.

Por, pse është thirrur Gledis Nano? Kreu i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj e sqaroi në Zona Zero në Top News.

“Ne nuk kemi thirrur individin Gledis Nano. Ai është në atë listë si drejtuesi i Policisë së Shtetit dhe ne duam të dimë nëse ka vepruar policia në periudhën 4-mujore nga 24 dhjetori deri në 25 prill ndaj referimeve tona, që kemi denoncuar në të gjithë territorin shitblerjen e votës, asfaltin elektoral dhe shkelje të tjera të votës”, – tha Alibeaj.

Nënkryetari i PD-së tha se me votimin e sotëm kundër planit të hetimit, socialistët i kanë parashkruar fundin e këtij hetimi.

“Duket qartë se ata nuk do të lejojnë hetimin duke përdorur forcën e kartonave”, – deklaroi Alibeaj.